Për t’i shpëtuar vapës përvëluese që ka përfshirë vendin tonë, të shumtë janë pushuesit që iu drejtuan plazheve të Adriatikut.

E gjithë vija bregdetare u mbipopulluar nga pushues vendas dhe turistë të huaj.

“Më bukur nuk bëhet më, se sot, nuk ka as erë dhe deti është pa dallgë. As liqeni nuk është i tillë, shumë bukur. Unë po bëj 2 javë që e frekuentoj edhe deti këto dy javë ka qenë shumë bukur, përveç këtyre dy ditëve që ka qenë nxehtë,” tha një pushues vendas.

Fluksi i pushuesve ka lënë të kënaqur edhe operatorët turistikë të cilët shprehen se ky sezon po sjell më shumë turistë nga vende të ndryshme të botës.

Eduard Xhepa, operator turistik: Të gjitha strukturat akomoduese janë të frekuentuara nga turistet e huaj dhe vendas. Ajo që ne na bën përshtypje dhe na gëzon është që ka turistë nga e gjithë bota, që do të thotë se Shqipëria dhe aq më tepër Durrësi që është qytet shumë i madh turistik, është kthyer në një destinacion tashmë për shkak të pozicionit gjeografik, për shkak të klimën dhe të gjitha produkteve vendase që ofron Shqipëria dhe për shkak të gjithë shërbimit e standardeve që tashmë në Shqipëri janë të krijuara. Kjo është edhe sfida jonë.  

Një nga objektivat kryesore të sektorit të turizmit në Durrës ka qenë zgjatja e sezonit turistik, i cili tashmë po shkon drejt një sezoni jo vetëm me disa muaj gjatë verës, por ne gjithë muajt e vitit me vizitore vendas dhe turistë të huaj.

Klan News