E ardhmja e Garet Sauthgejt në stolin e kombëtares angleze sa vjen e ndërlikohet. Eksperienca në kampionatin Europian të kësaj vere shihet si e fundit për teknikun në krye të “Tre Luanëve”, me Federatën që po punon edhe për pasuesin e tij.

Gjithçka ka të bëj me ndryshimet e shumta në pankinat e ekipeve, mes të cilëve largimi i Maurisio Poketinos nga Chelsea. Sipas asaj që raportohet nga mediat britanike, mundësia për të marrë drejtimin e kombëtares së Anglisë e ka shtyrë argjentinasin për tu larguar me konsensus nga “Blutë e Londrës”.

Stili i lojës së Poketinos që merr maksimumin nga lojtarët e rinj dhe sulmuesit e bën një kandidat të fortë për të pasuar Sauthgejt, i cili pritet t’i jap fund mbretërimit të tij 8-vjeçar me kombëtaren e Anglisë. Ish-trajneri i Totenhem dhe Pari Së Zhërme ka tërhequr edhe vëmendjen e Manchester United.

“Djajtë e kuq” mund të bëjnë një lëvizje për të firmosur me 52-vjeçarin nëse Erik ten Hag shkarkohet. Një fakt që varet nga finalja e kësaj fundjave në EF EJ Kap, ku United luan ndaj Manchester City, trofe që do i garantonte kualifikimin në Kupat e Europës së sezonit të ardhshëm.

Klan News