Katër persona janë arrestuar në lidhje me një tentativë vrasje.

Rexhep Rapi, ose i njohur ndryshe si “Kep Rapi” është vënë në prangat e policisë i akuzuar si i përfshirë në këtë ngjarje (Lexo më shumë).

I përfshirë në këtë ngjarje dyshohet se është edhe ish-shefi i Krimeve të Komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni i arrestuar më herët për sigurim të kushteve për të kryer vrasje (Lexo më shumë).

Në pranga ka rënë edhe Algert Arapi, nipi i ‘Kep Rapit’ dhe Dejvi Gjermeni.

“Sa i përket kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, gjithçka është zbuluar nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin SKY pasi SPAK ka vendosur në pranga më herët ish-shefin e Krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. Nëpërmjet komunikimeve të tij ka arritur të aprovojë edhe me prova dhe fakte shtesë që ai ka qenë i përshirë në një ngjarje tjetër ku ka ndihmuar “Kep Rapin” ose siç njihet në qytetin e Durrësit, një nga njerëzit më të pushtetshëm në botën e krimit, një nga njerëzit me shumë ndikim në këtë zonë dhe i përfshirë e i anatemuar për përfshirje në ngjarje nga më të rëndat kriminale, qoftë në trafikun e drogës, qoftë në vrasje”, raportoi gazetarja Glidona Daci.

Dedan Gjoni
Dedan Gjoni

Hetuesit thonë se kanë arritur të gjejnë prova se Gjoni, në kohën kur ka qenë me detyrë në Komisariatin e Shijakut, ka bashkëpunuar me një grup kriminal për të vrarë një person.

Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se shënjestër ishte Xhevdet Plaku, i njohur edhe me nofkën “Akili”. Ai dyshohet se drejtonte trafikun e drogës nga Amsterdami i Holandës, por dyshohet edhe për vepra të tjera.

Plaku përdorte 25 identitete të ndryshme. Sipas gazetares Daci, Plaku rezulton si një nga njerëzit e dyshuar në ekzekutimin e vëllait të ‘Kep Rapit’ dhe për këtë arsye është kërkuar ekzekutimi i tij nga ana e grupit kriminal.

Xhevdet Plaku, “Akili”

Nga hetimet rezulton se Dedan Gjoni ka thirrur në komisariat “Akilin” dhe u ka thënë autorëve orarin që do e lironte dhe u ka nisur foto të tij. Më pas kjo ngjarje nuk është realizuar dot pasi autorët janë tërhequr.

Ende nuk dihen arsyet se pse kjo vrasje nuk është realizuar nga grupi kriminal. Nga provat e mbledhura deri tani rezulton se edhe urdhri i krimit u dha nga Holanda.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.19/2022, i cili është regjistruar në bazë të informacioneve të përcjella nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Holandës.

Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se, shtetasit R.R., D.GJ., A. R. në bashkëpunim me shtetasin D.D. (punonjës policie) kanë konsumuar faktin penal të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer një vrasje, në dëm të shtetasit Xh. P., ngjarje e planifikuar të realizohej më datë 17.09.2019, në Durrës.

Në datën 16.12.2023, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktimin e masave të sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj shtetasve nën hetim R.R., D.GJ., D.D. (punonjës policie në atë kohë në DVP Durrës) dhe A.R.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.138 me datë 20.12.2023 ka vendosur:

Caktimin e masave të sigurimit personal të karakterit  shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj të hetuarve R.R, D.GJ, D.D. dhe A.R, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xh.P., kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në 22.12.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest ne burg”, për të hetuarit R.R., A.R., dhe D.GJ. Gjithashtu në datën 22.12.2023 është arrestuar në Limburg, Holandë edhe shtetasi nën hetim D.GJ. Arrestimi i D.GJ. u bë si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet e Mbretërisë së Holandës dhe Interpol.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

Falenderim të veçantë për agjencitë ligjzbatuese të Mbretërisë së Holandës për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal./tvklan.al