Këto pamje tregojnë pasojat e rënda të një tërmeti të fuqishëm që goditi lindjen e Afganistanit në orët e para të mërkurës. Bilanci është tragjik. Deri më tani numërohen mbi 1 mije viktima e qindra të plagosur por bilanci pritet të rëndohet, pasi ekipet e emergjencës ende nuk kanë nisur kërkimet në rrënojat e qindra ndërtesave të shkatërruara.

Lëkundja më e fuqishme u regjistrua rreth orës 1:30 të natës me orën lokale, me epiqendër qytetin Kost në rajonin e Paktikës, fare pranë kufirit me Pakistanin. Numri i lartë i viktimave lidhet me cilësinë tepër të dobët të ndërtesave në atë zonë, por edhe momentin kur të gjithë banorët bënin gjumin e natës.

Udhëheqësit talebanë u kanë bërë thirrje për ndihmë urgjente, agjencive humanitare ndërkombëtare dhe vendeve fqinjë, për operacionet e shpëtimit por edhe për rindërtimin pas tërmetit. Veçanërisht pas largimit të amerikanëve vendi është zhytur edhe më thellë në varfëri, pasi nuk konsiderohet as i besueshëm për të marrë kredi nga bankat e huaja.

Tv Klan