Mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje kanë ofruar mëngjesin e kësaj të hëne liderët botërorë, të cilët u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një postim në Twitter tha se Greqia do të ofrojë ndihmën e saj e menjëhershme. “Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të asistojë menjëherë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet tij për viktimat në Twitter dhe ofroi asistencë. “Jemi krah popullit turk në këtë kohë të vështirë. Jemi gati për të ofruar asistencën e nevojshme për të tejkaluar pasojat e kësaj fatkeqësie”, tha Zelenski.

Në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i “pikëlluar për jetët e humbura dhe dëmet në ndërtesa”. “India qëndron në solidaritet me popullin e Turqisë dhe është e gatshme për të ofruar të gjithë asistencën e mundshme për t’u përballur me këtë tragjedi”, tha ai.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif përcolli ngushëllimet e tij për të prekurit në Turqi e Siri, nëpërmjet një serie postimesh në Twitter.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog shkruajti: “Shteti i Izraelit është në gatishmëri për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme. Zemra tona janë me familjet që humbën njerëzit e dashur dhe me popullin turk në këtë moment të dhimbshëm”.

Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara” për shkatërrimin në Siri dhe Turqi. “Kam kontaktuar me zyrtarët në Turqi për t’i shprehur gatishmërinë tonë për të ofruar çdolloj asistence. Do të vijojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, shkruajti Sullivan në Twitter.

Misioni diplomatik i SHBA në Turqi shprehur po ashtu pikëllimin për pasojat tragjike të tërmetit./tvklan.al