Lukashenko kërcënon me burg protestuesit opozitarë

Teksa Lukashenko kërcënon me burg protestuesit opozitarë, rivalja e tij në arrati Svjetllana Tikanovskaja u bën thirrje mbështetësve të saj të përshkallëzojnë grevat dhe protestat në një video të publikuar këtë të premte në rrjetet sociale.

“E ardhmja e fëmijëve tanë varet tani nga uniteti dhe vendosmëria juaj. Ju kërkoj të vazhdoni të përshkallëzoni grevat. Mos i lejoni t’ju trembin. Bashkohuni”!

Në videomesazhin e xhiruar në Vilnus ku ajo ka gjetur strehë, Tikanovskaja tha se grevat janë një mënyrë ligjore dhe e efektshme për t’i dhënë fund dhunës së regjimit 26-vjeçar të Lukashenkos. Ajo shprehu bindjen se përmes kësaj mënyre do të arrihet qëllimi për të liruar të burgosurit politikë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, të lira dhe të ndershme.

Por duket se kërcënimet me burg nga Lukashenko e kanë ulur intensitetin e protestave. Këtë e konfirmojnë edhe mediat perëndimore që thonë se edhe në fabrikat e mëdha që hynë në grevë pak ditë më parë, puna po vijon normalisht, pasi Presidenti urdhëroi zëvendësimin e të gjithë punonjësve grevistë.

Në kushtet e një krize që rrezikon të thellohet në një konflikt më të gjerë, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emanuel Makron ofruan ndihmën e tyre për të ndërmjetësuar në arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Tv Klan