Protestat kundër turizmit masiv kanë bërë që shumë spanjollë të shënjestrojnë turistët e huaj jo vetëm me thirrje kundër tyre, por edhe me gjeste të caktuara.

Fundjavën e kaluar në Barcelonë qytetarët përdorën pistoleta uji kundër turistëve të huaj për t’i larguar nga vendi, një veprim i cili u risoll në vëmendje nga ministri i Turizmit Jordi Hereu i cili ka dënuar sjelljen e protestuesve.

Hereu, i cili ka shërbyer më herët si kryebashkiak i Barcelonës, u tha gazetarëve se protestat nuk përfaqësojnë kulturën e mikëpritjes në vend dhe se ato janë ekzagjeruar nga mediat ndërkombëtare.

Ministri u shpreh se rishpërndarja e fitimeve të sektorit të turizmit dhe përmirësimi i cilësisë së vendeve të punës do të ndihmonte në shuarjen e protestave.

Ai u shpreh se mund të ndërmerren masa të tilla si kufizimi apo edhe eliminimi i qirave afatshkurtra dhe kufizimi i numrit të dhomave të hoteleve. Ministria e Turizmit në Spanjë thotë se numri i turistëve në Spanjë është rritur me 13% nga viti në vit, por qytetarët janë ata që po vuajnë efektet e turizmit masiv dhe një nga problemet më të mëdha për shumë spanjollë është ai i krizës së strehimit.

Klan News