E premtuar se do të hapej brenda Dhjetorit të 2018, rruga Tiranë – Elbasan do të përfundojë vetëm në mesin e muajit Maj, ndërsa një nga karexhatat do të jetë e aksesueshme pas afro 2 muajsh.

“Në 15 Mars hapim karexhatën e majtë dhe në 17 Maj do të jetë e përfunduar e gjitha”.

Arsyet e zvarritjes për këtë rrugë të nisur nga qeveria demokrate e Berishës, Kryeministri Rama, që inspektoi punimet, i gjen tek filozofia që udhehoqi paraardhësin në investimet në infrastrukturë.

“Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”.

Kostot që ka kapur ndërtimi i rrugës u tejkaluan me disa fish nga projekti fillestar.

“Kjo ka patur një kosto 9.6 milionë Dollarë. Realizmi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë Dollarë dhe kjo të kompletohet. Kosto për efekt të projekteve të bëra jo me fazë fizibiliteti korrekte, pa studime gjeologjike. Për shembull, janë bërë 3 studime gjeologjike vetëm tek kjo zonë”. 

Gjithë gjatësia e aksit që lidh kryeqytetin me Elbasanin është 29 kilometra. Pjesa më problematike e saj ishte ajo në fshatin Ibë, ku rrëshqitjet e vazhdueshme të tokës kërkuan punime e fonde shtesë.

Tv Klan