Klodian Stafa, 35 – vjeç dhe Bashkim Ndreu, 33 – vjeç kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi akuzohen se shpërndanin kokainë në lokalet e natës në Tiranë.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se të arrestuarit u ndaluan në momentin që do të bënin shkëmbimin e një sasie droge në zonën e Zogut të Zi. Ata ndodheshin brenda një automjetit “Mercedes Benz”, kur u kapën nga blutë e kryeqytetit.

Sipas policisë, Bashkim Ndreu përdorte një portofol të dyshuar si ai i policisë dhe prezantohej si punonjës policie, me qëllim shmangien e kontrolleve nga shërbimet policore.

Gjatë kontrollit të ushtruar të arrestuarve iu gjetën 301 gramë kokainë, 5 aparate telefonik të llojeve të ndryshme, 1 portofol i dyshuar si ai i policisë, 90.000 Lekë, 100 Euro dhe automjeti “Mercedes Benz”.

Aktualisht, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./tvklan.al