Në situatën e emergjencës për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës, ekipet e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dhe të strukturave të tjera nën varësinë e Bashkisë së Tiranës janë në terren duke iu përgjigjur në çdo kohë qytetarëve.

Siç mund të shihni edhe nga këto foto të shpërndara nga Bashkia, kjo e fundit ka vendosur në dispozicion të qytetarëve autobotet e ujit në të gjithë zonat që kanë anomali të furnizimit me ujë të pijshëm, siç janë zona e Kasharit, Astirit, Babrrusë.

Bashkia Tiranë ka vënë në dispozicion të UKT të gjitha mjetet ujëmbajtëse të ndërmarrjeve dhe agjencive të varësisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat më problematike.

“Në Tiranë biem e ngrihemi bashkë. E gjithë flota e mjeteve të Bashkisë, Zjarrfikësve e Ushtrisë te Unaza e Re për të furnizuar pallatet e prekura nga thatësira ”

, shkruan Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj në Facebook.

Në njoftimin për shtyp thuhet gjithashtu se flotës së boteve të agjencive të Bashkisë, u janë bashkuar edhe 10 mjete të ushtrisë që do të jenë në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve sipas nevojës.

Kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që në rast se kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, të telefonojnë në numrat e vendosur në dispozicion nga UKT 08004488 ose nga Bashkia e Tiranës 08000888./tvklan.al