Të paktën 10 persona mbetën të vrarë në një sulm me bombë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, që kishte si shënjestër zëvendëspresidentin Amrullah Saleh. Saleh, ish-drejtues i shërbimeve afgane të inteligjencës, i mbijetoi këtij sulmi me djegie të lehta në fytyrë e duar.

Ngjarja vjen në një kohë kur zyrtarët afganë dhe ata talebanë po përgatiten për bisedimet e para formale. Zëdhënësi taleban Zabihullah Mujahid, në një postim në Twitter mohoi që pas sulmit të ishte grupi militant.

Sulmi me bombë ndodhi në anë të rrugës, gjatë kohës që eskorta e zv/presidentit po udhëtonte për në punë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tareq Arain, tha se viktimat ishin qytetarë të cilët punonin në zonë. Të plagosur nga ngjarja mbetën edhe 15 persona të tjerë, mes tyre edhe një prej truprojave të Saleh.

Sipas asaj që shkruan BBC, Saleh është njihet si zë kundërshtar ndaj talebanëve dhe në të shkuarën i ka shpëtuar disa atentateve, përfshirë një të ndodhur vitin e shkuar në zyrën e tij, ku mbetën të vrarë 20 persona. Duke folur pas shpërthimit të mërkurën, ai u zotua se do ta vazhdonte aktivitetin politik./tvklan.al