Sulmet izraelite vranë 19 njerëz të tjerë në Gaza këtë diel, mes të cilëve 6 fëmijë. Tel Avivi këmbëngul se sulmet kanë si synim bazat e Hamasit, por autoritetet palestineze thonë se bombat nuk po bëjnë dallim duke marrë edhe jetë civilësh të pafajshëm. Për t’i dhënë fund gjakderdhjes, janë intensifikuar përpjekjet diplomatike.

Në Tel Aviv mbërriti të dielën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në një vizitë që synon të intensifikojë presionin diplomatik për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza javën e ardhshme që do t’i japë fund gjakderdhjes disamujore midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.

Në udhëtimin e tij të dhjetë në rajon që nga fillimi i luftës tetorin e kaluar, diplomati i lartë amerikan të hënën do të takohet me udhëheqës të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu. Pas Izraelit, Blinken do të udhëtojë për në Egjipt si pjesë e turneut të tij në Lindjen e Mesme.

Bisedimet e zhvilluara në Doha pritet të rifillojnë të hënën, por palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi. Hamasi është në favor të një marrëveshjeje armëpushimi që do të çojë në fundin e luftës ndërsa Izraeli kërkon një pauzë të përkohshme.

Tv Klan