Një djalë i ri 23-vjeçar në Bari të Italisë ka ndërruar jetë disa ditë pas pickimit nga një merimangë.

I riu ishte pickuar më 13 Korrik nga e ashtuquajtura “merimanga violinë” në një fshat ku po punonte duke pastruar për llogari të kompanisë.

23-vjeçari Giuseppe Russo mendoi se ishte pickuar në këmbë nga një mushkonjë dhe nuk i kushtoi rëndësi.

Me kalimin e ditëve, vendi i pickimit filloi të fryhej dhe pati dhimbje të forta.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, i riu shkoi në spital dhe u shtrua fillimisht në Tricase, e më pas në Lece. Situata u përkeqësua mbrëmë dhe u transferua në poliklinikën e Barit.

Në orët e para të mëngjesit, ai ndërroi jetë nga shoku septik (që shkaktohet nga prania e një bakteri) dhe dështim i shumëfishtë i organeve.

“Merimanga e violinës” njihet si një nga merimangat më helmuese dhe është e pranishme në Itali. Kjo lloj merimange ka një ngjyrë të verdhë e kafe dhe një njollë në formë violine në pjesën e pasme, nga dhe ka marrë emrin. Për shkak të ngjyrës që ka, nuk bie shumë në sy. Zakonisht nuk është agresive dhe tenton të shpëtojë se sa të pickojë. Mirëpo nëse ndihet e kërcënuar, mbrohet duke pickuar.

Pickimi nga kjo merimangë është përgjithësisht pa dhimbje dhe mund të mos vihet re menjëherë. Simptomat shfaqen 24-48 orë dhe kanë dhimbje, djegie, enjtje dhe kruarje.

/tvklan.al