Ndryshe nuk quhej një nga gjiret më të bukura të Jugut të Shqipërisë. Uji, qetësia dhe pamja që ofron plazhi i Jalit e kanë bërë atë vitet e fundit një nga destinacionet kryesore për turistët.

Bregedetit të tij nuk i mungojnë as vizitorët e huaj, por zhvillimi urban që mori zona, në disa raste prishi bukuritë që natyra vizatoi për këtë vend.

Sot kur vjen për të parë Jalin gjen një pamje tjetër.

Për muaj me radhë kompania “Gjiknuria” është duke punuar për të realizuar një projekt të restaurimit urban dhe sistemit të zonës ranore për ta përshtatur atë me standardet e një zone turistike elitare. Punimet për urbazimin e kësaj zone kanë nisur në Korrik të 2017-ës, me një financim 529 milionë Lekësh të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Punimet e reja fillimisht u përqëndruan në mbrojtjen e bregdetit nga erozioni”, thotë Alma Ruci, inxhiniere e firmës “Gjikuria”.

Pjesa ranore e plazhit është sistemuar në dy nivele. E para, më në afërsi me detin, për pushuesit të cilët kërkojnë diellin dhe niveli i dyti do t’i përshatet argëtimit, lojrave për fëmijë dhe shërbimeve për qytetarët.

Shëtitorja është një tjetër vepër e cila ka ndryshuar tërësisht organizimin e këtij bregedeti. Pishat dhe palmat në mes të saj lidhin estetikisht atmosferën me ngjyrat e detit.

Pedonalja e gjatë 400 metra, këtë verë do të mundë pluhurin e rrugës që ishte më parë në këtë plazh, e ndërsa aktivitetet e biznesit janë përshtatur në arkitetura uniforme, të punuara me kujdes për të përmbysur kaosin që krijonin më parë.

Punonjësit e firmës tregojnë se projekti për Jalin u realizua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me qëllim që të thithë turistë të edukuar. Përgjatë bregdetit nuk do të mungojnë dushet, stolat e pushimit, dhomat e zhveshjes, baret dhe restorantet.

Pedonalja imiton më së miri valët e detit. Si gur është zgjedhur korteni, një risi në ndërtimet tona, e ndërsa ngjyrat e tij vishnjë dhe bezhë formojnë kontrastin e shëtitores.

Tashmë punimet janë në fund. Shëtitorja do të jetë gati brenda Qershorit dhe detajet e fundit po përqëndrohen te mënyra se si do të bëhet ndriçimi i saj dhe hapësirave mes pemëve. Por për të parë Jalin në mbrëmje, duhet ta vizitoni vetë. Këtë verë shëtitorja e re është gati!

Tv Klan