Bashkëpunëtorët e Admir Murataj, i vrarë në grabitjen e 9 Prillit, dyshohet se janë persona më të cilët ai ka njohje te hershme dhe ka kryer disa grabitje me ta. Klement Çala është njohje e vjetër e Muratajt, të dy ata u arratisën në vitin 2013 nga burgu i Trikallës. 31-vjeçari Çala u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 25 vite burg për arratisjen dhe grabitjet që ai kishte kryer ne Greqi.

Por prej 6 vitesh autoritetet shqiptare nuk e dinë se ku ndodhet ai dhe është ende e paqartë se si Murataj mund të jetë lidhur me të. Prokuroria ka bërë pjesë të këtij hetimi edhe grabitjen e 30 Qershorit 2016, ku në pistën e Rinasit u grabitën 1 milion Euro. Për këtë ngjarje u shpall në kërkim Aleks Pepa. 44-vjeçari nga Elbasani, së bashku me dy persona të tjerë, thyenë sigurinë në Rinas thuajse me të njëjtën mënyrë që u përdor në grabitjen e 9 Prillit.

Por provat e policisë që këto tre grupe të kenë bashkëpunuar dhe të jenë bërë një në grabitjen e fundit janë të pakta, megjithatë është njëra pistë që po ndiqet. Ende policia nuk ka rënë në gjurmët e këtyre personave pasi janë mjaft të kujdesshëm dhe nuk lënë gjurmë për lëvizjet që kryejnë. Ndërsa, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj  paraditen e kësaj të premteje ka zhvilluar një takim me krerët e policisë. Pjesë e diskutimeve ka qenë dhe grabitja e ndodhur në pistën e Rinasit. Të enjten në Parlament Lleshaj tha se kjo ngjarje do të zbardhej shumë shpejt.

Tv Klan