Nazmi Hoxha është drejtuar në “Stop”, pasi nuk përfiton pensionin e minatorit. Ka punuar në minierën e Kavajës, në minierën e Burrelit, më pas në bujqësi, duke plotësuar 31 vjet punë.

“Ngaqë nuk i kisha komplet 11 vjet se aq ka qenë atëherë miniera, fillova në minierë të Burrelit. Më erdhi mosha për pension. Plotësova vitet meqë kisha vjetërsinë dhe më thanë që nuk më takon”, u shpreh ai.

Nazmiu aplikoi për të marrë pension dhe mori përgjigje negative, pasi nuk ekzistonin dokumentet për minierën e Kavajës.

“Pensionin ma refuzuan për arsye se nuk kisha bordoro. Vitet i kam në rregull në librezë, bordorotë jo. U detyrova pastaj bëra gjyq”.

U drejtua në Gjykatë dhe gjykata me anë të dëshmitarëve, i njohu vitet ‘85-‘90.  Bëri sërish aplikim, por mori edhe njëherë përgjigje negative, pasi i kërkohej akti i marrjes së tokës në pronësi, të cilin e dorëzoi, por përgjigja mbeti negative.

“Vitet e tjera pune kisha në demokraci në minierën e Burrelit, plus kësaj 1 vit asistencë kur ika dhe ushtrinë. 10 vjet kam derdhur kontribute. Tirana m’i refuzoi se libreza është me korrigjim. Kërkuan dokumentet e tokës, atë e mora të Aluizni, e dorëzova, ata prapë e refuzojnë. Sot nuk përfitoj asnjë lloj pensioni. Kërkoj ndihmën e Stopit që të më lidhin pensionin e minierës”, tha ai.

“Stop” iu drejtua Drejtorisë së Sigurimeve të Tiranës, ku Anila Take, punonjëse pranë këtij institucioni shpjegon, se nuk janë dorëzuar dokumentet e kërkuara si AMTP dhe një vërtetim i Gjendjes Civile për punën në Burrel.

Pas plotësimit të dokumenteve, Nazmi Hoxha do të përfitojë pensionin./tvklan.al