Duke folur për pjekurinë dhe reflektimi që arrin gruaja në moshën 40-vjeçare, Arba Gramo në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, duke treguar një rast të sajin personal thotë se gruaja ndjehet e pjekur dhe e rritur në momentin kur humb të dy prindërit.

Teksa shton se me humbjen e babait të saj ajo është ndjerë si pikë reference për fëmijët e saj, duke ndërmarrë më shumë përgjegjësi dhe angazhime.

Arba Gramo: Unë gjithmonë e kam menduar që ne rritemi maksimalisht, kur nuk e kemi asnjërin nga prindërit. Mendoj se të qenurit e prindërve në jetë sado moshë të madhe të kenë , ne përsëri e themi fjalën “mami”, “babi” atëherë kur e duam dhe kjo është e mjaftueshme, ka vazhdimësi që nga lindja jonë. E kemi thënë që të vegjël dhe vazhdojmë e themi deri kur jemi të mëdhenj. Në momentin kur asnjëri nga nuk është më, unë mendoj që ai është momenti kur ti praktikisht je një grua e madhe. E vura re me humbjen e babit, e konfirmova me humbjen e babit këtë, që kur një prind ikën ti e kupton që ajo që ti kishte menduar më përpara është ashtu.

Nuk është se ti je vetëm në botë, por në një farë mënyre je ti tashmë pika e referencës për fëmijët e tu, mbase për fëmijët e tyre, etj. Kurse një herë e një kohe kanë qenë ata, kanë qenë pika e referencës. Kur ka qenë mami dhe babi, ishin ata aty, kështu që çfarëdolloj problematike të kishim mbështeteshim tek ata. Në momentin që ti nuk e thua dot më këtë dhe ti ke të gjitha përgjegjësitë, atëherë kupton që është shumë më ndryshe tani. Mua më pëlqen shumë kjo fazë, është një përgjegjësi e tillë, por është shumë e bukur sepse duke e parë veten se sa e rëndësishme ishte për mua që të shkoja tek mami apo tek babai dhe tani mendoj se kjo pika e referencës për fëmijët e mi do të jem unë dhe kjo më pëlqen shumë, që të jem për ata ajo që prindërit e mi kanë qenë për mua./tvklan.al