Kur pritej të rinovonte me Real Madrid, Toni Kross i jep një kthesë të papritur karrierës së tij. Sezoni aktual do të rezultojë i fundit për mesfushorin gjerman në futbollin aktiv. Përmes një statusi në rrjetet sociale, 34-vjeçari ka njoftuar se do të tërhiqet nga fusha e lojës pas Kampionatit Europian të kësaj vere.

“Jam i lumtur dhe krenar që gjeta kohën e duhur për të marrë vendimin. Mbi të gjitha ta zgjidhja vetë. Ambicia ime ishte që gjithmonë ta përfundoja karrierën time në kulmin e nivelit tim të performancës” shkruan mes të tjerash në reagimin e tij mesfushori gjerman.

Ndeshja e fundit e Kroos për Real Madridin do të jetë finalja e Champions League kundër Borussia Dortmund. Mesfushori pritet të jetë në fushë në stadiumin ikonik “Wembley” më 1 qershor për të tentuar ta mbyllë me trofe karrierën fenomenale me spanjollët. Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Kroos fitoi një kupë bote, pesë tituj të Ligës së Kampionëve, si dhe katër trofe të La Ligës dhe tre Bundesliga.

Klan News