Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u diskutua mbi kreditë e vogla dhe problemet që kanë sjellë ato deri më tani në vendin tonë.

Gazetari Blendi Fevziu tregoi një histori personale të abuzimit, jo me kreditë e vogla, por me bllokime nga institucionet shtetërore.

Fevziu tha se Tatimet i kërkuan bankave t’i bllokonin llogaritë bankare për shkak se ai nuk kishte paguar tatimin e pronës së paluajtshme.

Ai theksoi se shifra ishte simbolike megjithatë nuk e kishte paguar për shkak se nuk ia kishin sjellë njoftimin që duhej ta paguante.

Por pavarësisht kësaj, institucioni kërkoi bllokimin e llogarive të tij pavarësisht se në banka ai kishte shumëfish më shumë se ajo që do duhej të paguante.

Fevziu e konsideron këtë gjë një “horrllëk” të institucioneve të cilat “ia nxijnë jetën qytetarit”.

“Do të tregoj një histori personale se kjo historia e abuzimit me bllokime që vjen nga institucionet në këtë rast jo nga Përmbarimi, por nga institucionet shtetërore është skandaloze. Para disa ditësh më vjen një letër, nuk ma kishin sjellë dhe nuk e kisha parë, të paguaja vlerën e tatimit të pronës së paluajtshme. Ishte një vlerë fare simbolike, megjithëse kamatëvonesat ishin më shumë sesa vlera e pronës që duhet të paguaja. Tatimet e Bashkisë i kishin çuar të gjithë bankave ku kam llogari bankare, bllokimin e çdo llogarie timen. Nuk e di, 4-5 banka. Kanë bllokuar çdo lloj llogarie dhe unë nuk bëja dot asnjë pagesë, as paguaja për të lëvizur një gjë. Pse? Ndërkohë që shuma që kisha në dispozicion nëpër banka ishte me mijëra fish më e madhe se ajo që do paguaja. Kjo është as gjë e as më shumë se sa t’i nxish jetën qytetarit. Kjo është një horrllëk tipik që një institucion e bën. Këtu Përmbarimi thotë, në këtë rast ishin tatimet. Përmbarimi thotë në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit”, tha Fevziu./tvklan.al