Viljon Cakollari nuk ka njohur personin, i cili mbrëmjen e të premtes, e qëlloi me katër plumba në hyrje të banesës së tij.

Shoferi i parkut të Ministrisë së Brendshme nuk ka dhënë asnjë detaj të vlefshëm për hetimin, duke sqaruar para oficerëve se është qëlluar në befasi.

Ai ka thënë se ka parë një person të vetëm, por pa mundur ta njohë. Grupi hetimor ka dyshime se një makinë e ka pritur autorin, disa metra larg shtëpisë së Cakollarit.

37 –vjeçari e ka dhënë dëshminë e tij mbrëmjen e shtunës pas daljes nga rreziku për jetën.

Ai ka sqaruar se ka qenë duke parë një ndeshje futbolli me disa miq dhe rreth orës 21:30 minuta ka mbërritur në shtëpi.

Në këtë moment është qëlluar nga dikush dhe tre plumba e kanë kapur në trup. Viljon Cakollari ka nxjerrë menjëherë telefonin duke lajmëruar një mikun e tij polic, duke i treguar çfarë i kishte ndodhur. Edhe dëshmia e policit nuk e ka ndihmuar Prokurorinë, pasi ai ka shkuar shumë vonë vendin e ngjarjes.

Policia po heton në disa pista. E para ështe ajo e hakmarrjes, pasi vëllai i të plagosurit Laurent Cakollari në 1998 ka vrarë në Tiranë, Adriatik Banon dhe u largua në Angli.

Nuk përjashtohet pista e një konflikti të importuar nga Anglia. Po kështu, i plagosuri është kunati i Petrit Leshit, i njohur si një nga pjestarët e bandës së Niklës, i dënuar me 17 vite burg grabitje dhe vrasje.

Tv Klan