Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduar trajtimin e tij për Covid-19 dhe mund t’i rikthehet angazhimeve publike këtë fundjavë. Kështu është shprehur mjeku i tij personal, Sean Conley.

Ai u shpreh se presidenti i është përgjigjur mjaft mirë mjekimeve dhe qëndron në gjendje të stabilizuar. Të enjten, Conley u shpreh se tek Trump nuk ka shenja të zhvillimit të sëmundjes.

Ndërkohë këtë të premte, Trump tha se do të bëjë një test tjetër dhe shpreson që të marrë pjesë në tubime gjatë fundjavës. Trump më herët është tërhequr nga debati me rivalin demokrat Joe Biden, nëse zhvillohet virtualisht.

“Nuk kam për të harxhuar kohën time me debate virtuale”, tha ai.

Kjo lëvizje e Trump shkaktoi debate të mëdha nëse në të ardhmen do të zhvillohen debate të tjera. Ndërkohë, Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së të Përfaqësuarve tha se ka disa pyetje të rëndësishme pa përgjigje për shëndetin e Trump.

Ajo ka kërkuar që Trump të vlerësohet nëse është në gjendje të vazhdojë detyrën. Por Trump reagoi menjëherë duke e quajtur Pelosi-n të çmendur./tvklan.al