Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të jetë gati në fund të vitit. Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dhënë njoftimin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shfaqet Alket Islami duke fluturuar mbi pistën e aeroportit. Verën e ardhshme, aeroporti do të presë pasagjerët e parë.

“Mirëmëngjes,

dhe me fluturimin e legjendarit Alket Islami mbi pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të jetë gati në fund të vitit, për t’u futur në testet e certifikimeve europiane dhe për të pritur pasagjerët e parë verën e ardhshme, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri.

Kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës u nënshkrua më 20 prill të vitit 2021.

Terminali do të ketë një sipërfaqe prej 20 000 metrash katrorë dhe i gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellorë që do të prodhojë 5.2 MWH energji të rinovueshme, e cila do të përdoret për nevojat e aeroportit.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të jetë i treti në vend dhe do të ketë edhe fluturime transoqeanike. 

Ai parashikohet të jetë aeroporti më i madh në rajon jo vetëm për pasagjerët dhe mallrat, por edhe për industrinë e mirëmbajtjes së avionëve./tvklan.al