Nuk mori parasysh thirrjet për rrezikun që mund t’i kanoset nga trazirat në Kenosha. Presidenti amerikan Donald Trump vizitoi qytetin e përfshirë nga kaosi i krijuar prej protestave antiraciste, të shkaktuara nga plagosja me 7 plumba nga policia i afro-amerikanit Xhekob Bllejk më 23 Gusht.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehu mbështetjen për forcat e policisë, që sipas tij përballet me anarkistë, plaçkitës dhe protestues të dhunshëm e po ashtu edhe me persona që nxisin dhunën dhe përçarjen.

Trump u shpreh se protestat e dhunshme kanë shkatërruar çerekun e bizneseve të qytetit me 100 mijë banorë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk e vizitoi 29-vjeçarin afro-amerikan, i cili tashmë nuk mund të lëvizë, pas plagëve të marra nga plumbat e policisë. Rivalin e tij demokrat Joe Biden, ai e konsideroi si pjesë e grupit të politikanëve të ekstremit të majtë që mbështesin anarkistët e lëvizjeve anti-raciste.

Por Biden reagoi duke thënë se vetë Trump është nxitës dhune me deklaratat e tij përçarëse, ndërsa bëri thirrje për dënimin e të gjithë personave që përfshihen në dhunë dhe plaçkitje gjatë protestave.

Tv Klan