Një 53-vjeçar nga Lushnja ndërroi jetë në ambientet e Spitalit “Nënë Tereza”, në Tiranë.  Fadil Hoxha ishte arrestuar në flagrancë një ditë më parë, duke vjedhur në ullinjtë e një banori tjetër, pas kallëzimit të këtij të fundit.

Familjarët thonë paraditen e së dielës se ka pasur dhimbje të forta në gjoks dhe për këtë është dërguar në spitalin e Lushnjes.

Burime nga spitali thanë se pas ekzaminimeve është parë se Hoxha kishte pësuar një parainfarkt, dhe për këtë është vendosur transferimi i tij në Tiranë. Rreth orës 18:00, ai ndërroi jetë. Për këtë vdekje familjarët bëjnë përgjegjës policinë e Divjakës.

Në një njoftim të saj, policia sqaron të gjitha hapat që ka marrë, ndërsa nënvizon se Fadil Hoxha ka deklaruar se vuan nga tensioni dhe se ka pasur me vete ilaçe, të cilat i ka marrë rregullisht.

Policia thotë se ka njoftuar familjarët të cilët kanë sjellë ilaçe të tjera pas shqetësimeve, dhe se mjeku e ka mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë kohës. Sipas policisë, familjarët e personit të arrestuar nuk kanë pasur asnjë ankesë për trajtimin e problemit të tij shëndetësor, deri në momentin e përkeqësimit të shëndetit të tij.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit kjo është një vrasje tjetër shtetërore e çunave të krimit, që nuk pranojnë akuzën pasi nuk lejuan futjen e ilaçeve tek i sëmuri. Ish-kryeministri i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për gjetjen e autorëve të akti të shëmtuar kriminal.

Burime të Tv Klan nga Prokuroria thanë se presin rezultatet e ekspetizës mjeko -ligjore dhe më pas do të vendosë për të nisur ose jo hetimet.

Tv Klan