COVID-19-ës nuk i shpëtoi as drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu konfirmoi paraditen e së martës se Brataj ishte infektuar me koronavirus.

Vetë drejtori i Urgjencës Kombëtare reagoi përmes rrjeteve sociale ku falenderoi të gjithë personat që u interesuan për shëndetin e tij. Ai shprehet se gjendja e sëmundjes për momentin është e lehtë. Brataj thotë se temperatura i ka rënë nga dy ditë më parë, kur e ka pasur 39.5.

“Vërtetë është shumë emocionuese për mua ky reagim solidariteti nga ana juaj. Unë aktualisht kam një gjendje të lehtë të sëmundjes dhe tani po kurohem në banesë. Temperatura ime në këtë moment është vetëm 37,5 nga 39,5 që ishte dy ditë më parë”, thotë Brataj.

Brataj thekson se personeli mjekësor dhe ai mbështetës nuk i shmanget dot betejës në linjën e parë. Prandaj edhe me masat që marrin është normale që në disa raste të dëmtohen në këtë luftë të padukshme. Por ai u bën thirrje njerëzve që të ekspozohen sa më pak.

“Ne personeli mjekësor dhe mbështetës, nuk i shmangemi dot betejës, linjës së parë për të cilën jemi pergatitur. Është normale, që sado masa parandaluese të marrësh, në front mund të dëmtohesh në këtë luftë të padukshme, ndërsa ju mundeni të ekspozoheni sa më pak. Bëhuni ju të padukshëm për koronavirusin! Qëndroni në shtëpi!Tani edhe unë do të punoj nga banesa për disa kohë, sepse mundet! Të gjithë bashkë do t’ja dalim”, thotë Brataj./tvklan.al