Zjarri në Shëngjin është përkeqësuar së fundmi duke iu afruar hoteleve në zonë. Gazetari i Klan News, Martin Marku raporton se në zonë dëgjohen shpërthime të forta.

Zona ku është riaktivizuar vatra është shumë pranë ish-zonës ushtrake dhe dyshohet për shpërthime të municioneve të mbetura aty prej vitesh. Ndërkohë për shuarjen e zjarrit po punojnë 20 automjete zjarrëfikëse si dhe një helikopter, por era e fortë favorizon avancimin e flakëve.

Siç duket nga pamjet situata paraqitet shumë kritike ku shpërthimet në zonë mund të sjellin pasoja të rënda për zjarrëfikësit që punojnë për shuarjen e flakëve.

Fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Gazetari raporton se ka dëmtime edhe të bizneseve ku një pronar i ka shprehur se ‘beach bar-i’ i biznesit të tij është përfshirë nga flakët. Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Klan News duken momentet kur punonjësit e hotelit përpiqen që të heqin çadrat e tjera prej kashte, që të mos përfshihen nga flakët.

Rruga ndërkohë është e qarkullueshme vetëm për mjetet e emergjencave. Ndër të tjera gazetari raporton se janë dhjetëra rrethe të cilat kanë ardhur në ndihmë për shuarjen e flakëve.

Zjarri është aktiv prej disa ditësh ndërsa era bëri që të përhapet në dy drejtime, në Ranën e Hedhun dhe në zonën e qytetit të Shëngjinit.

Në Shëngjin në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës kanë shkuar edhe disa grupe zjarrfikësish nga Kamza dhe Tirana.

/tvklan.al