Ukraina në prag të luftës civile




Ukraina në prag të luftës civile

15:35 24/04/2014 UkrainaaaTeksa operacioni anti-terrorizëm i ushtrisë ukrainase po vijon në shkallë të gjerë, 5 është numri i viktimave në rradhët e forcave filo-ruse, sipas konfirmimit që ka dhënë ministri i Brendshëm në Kiev, Arsen Avakov. Ai tha se një anëtar i njësive ukrainase ka mbetur i plagosur rëndë gjatë operacionit, ndërsa 3 post-blloqe janë shkatërruar. Ndërkohë, vetë forcat filoruse kanë deklaruar për dy të vdekur në rradhët e tyre.

Operacioni është fokusuar për rimarrjen e Sllavjanskut, ku sipas njoftimeve rrejtet e komunikimit janë ndërprerë, por edhe ndaj qyteteve të tjera pranë tij, Kramatorsk dhe Izjum.

Pamjet flasin qartë për vendosmërinë e autoriteteve të reja në Kiev për të rimarrë nën kontroll të gjithë territorin e vendit, që kontrollohet nga forcat filoruse.

Moska ka reaguar ashpër, teksa presidenti Vladimir Putin deklaroi se përdorimi i ushtrisë ndaj popullsisë civile përbën një krim të rëndë dhe se ky veprim do të ketë pasoja për autoritetet e Kievit. Më herët nga Tokio, presidenti amerikan Barak Obama, e akuzoi Rusinë se është duke përçmuar marrëveshjen e javës së kaluar të arritur në Gjenevë për zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

Autoritetet e reja në Kiev thanë gjithashtu gjatë ditës së kanë rimarrë nën kontroll godinën e administratës bashkiake të qytetit Mariupol në rajonin e Donjeckut. Gjatë përleshjeve trup më trup dhe me shkopinj bejzbolli mes forcave filo-ruse dhe atyre pro-europiane disa persona kanë mbetur të plagosur, thanë burime zyrtare në Kiev.

Burime nga terreni thanë për mediat ndërkombëtare se situata në vend është tensionuar dhe Ukrana rrezikon luftën civile.

 




Të ngjashme