Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arrest për ish-ministrin rus të mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefin e shtafit të përgjithshëm, Valery Gerasimov.

Në lidhje me këtë vendim, gjyqtarët thanë se zyrtarët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Ukrainë.

Ata thanë se kishin arsye për të besuar se Shoigu dhe Gerasimov kanë përgjegjësi penale individuale për sulmet ndaj objektivave civile midis Tetorit 2022 dhe Marsit 2023. Ata akuzohen se kanë urdhëruar sulmet, ose kanë dështuar të kontrollojnë forcat nën komandën e tyre.

Ndërkohë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale është një tregues i qartë se drejtësia për krimet ruse kundër ukrainasve është e pashmangshme.

“Çdo kriminel i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e këtyre sulmeve duhet të dijë se drejtësia do të vihet në vend. Dhe ne shpresojmë t’i shohim ata pas hekurave”, u shpreh Zelensky.

Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit i Rusisë tha se urdhër-arresti ndaj Shoigu ishte i parëndësishëm dhe pjesë e një lufte hibride kundër Moskës.

Shoigu, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, u hoq nga posti i ministrit të mbrojtjes muajin e kaluar. Atë post, ai e kishte mbajtur që nga viti 2012. Tanimë. Shoigu është sekretar i Këshillit të Sigurimit./tvklan.al