“Green Coast, është një investim ultra-modern në Shqipëri, që përfaqëson një investim të jashtëzakonshëm prej mbi 1 miliard Euro”.

Kështu nis një shkrim i gjatë i prestigjiozes amerikane “USA Today” për turizmin shqiptar. Shkrimi nënvizon se Shqipëria po spikat ndër vendet evropiane, duke demonstruar një  rritjet më premtuese sa i përket numrit të turistëve gjatë dy viteve të fundit.

Në 2023, sipas saj, Shqipëria regjistroi mbi 10 milionë turistë, një shifër që as që ishte parashikuar vite më parë dhe që ka ardhur në rritje në 2024-ën.

USA Today thekson se krahas numrit në rritje të turistëve, Shqipëria po përjeton një rritje të shpejtë të nxitur nga investimet e konsiderueshme private në sektorin e turizmit.

Falë investimeve të konsiderueshme në këtë sektor, si kapacitetet pritëse ashtu edhe standardet janë përmirësuar ndjeshëm. Ndaj sipas medias amerikane, Shqipëria ka filluar të konkurrojë me vendet e tjera të rajonit që kanë arritur vazhdimisht nivele të larta të performancës prej vitesh.

Shkrimi thekson se në Shqipëri, si dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, investimi më i madh mbetet Green Coast, duke vendosur një standard të ri në turizmin shqiptar, si një investim lider i Grupit BALFIN.

I ndodhur në pjesën më piktoreske të rivierës shqiptare, Green Coast dallohet për ambientet e tij luksoze dhe me standarde të larta.

Këto përfshijnë një qendër tregtare, një shëtitore bregdetare, një plazh të certifikuar me flamurin blu, restorante, bare, butikë luksoze, parkim nëntokësor, një shesh lojërash për fëmijë dhe shumë shërbime të tjera të aksesueshme, të gjitha të projektuara me kujdes për të ofruar kushte optimale për turistët dhe banorët.

Kjo sipas USA Today e bën Green Coast projektin më ambicioz në turizmin shqiptar, i vlerësuar nga vizitorët ndërkombëtarë për pushime dhe si investim në pasuritë e paluajtshme.

Që nga fillimi i fazës së tij të parë, Green Coast ka tërhequr vëmendjen e elitës së turizmit nga vendet fqinje, duke nxitur frymëzim për shumë projekte të tjera bazuar në suksesin e tij, citohet në shkrim.

Green Coast thuhet se ka tërhequr shumë yje të futbollit dhe muzikës, të cilët e kanë zgjedhur atë jo vetëm për pushimet e tyre verore, por edhe për të investuar në prona të paluajtshme.

Viti pas viti, Green Coast po shndërrohet në një destinacion të ngjashëm me Mykonos, duke tërhequr vëmendjen e markave të famshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Projekti i ideuar dhe realizuar nga studio të njohura ndërkombëtare është vlerësuar me çmime për arkitekturën e tij.

Tv Klan