#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Zgjedhjet europiane kanë shkundur Europën politike, ka pasur surpriza. Dy prej liderëve tradicionalisht kryesorë të kontinentit europian kanë qenë humbës të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz. Ky i fundit përfundoi i treti në renditjen e partive, ndërsa Macron është më pak sesa gjysma e rezultatit që ka marrë e djathta ekstreme. Çfarë po ndodh me zgjedhjet europiane? Duket se është prodhuar një rezultat që kërcënon stabilitetin europian në ditët në vijim. Rritja e së djathtës është mbresëlënëse, e djathta dominon këtë herëë në mënyrë të plotë në Parlamentin Europian, por ajo që bie në sy është rritja e disa forcave ekstreme që vënë në pikëpyetje 4-5 piketa mbi të cilat kontinenti ngrihet. Çfarë do të ndodhë me lidershipin e kontinentit? Një problem i dytë mbetet emigracioni, shumë prej partive të djathta janë krejtësisht kundër tij në një kohë që Europa ka mbi 10 milionë vende pune bosh që nuk arrin t’i kompletojë. Së treti, është problemi i integrimit të Ballkanit Perëndimit si dhe e ardhmja e luftës në Ukrainë. Një zgjedhje e mundshme e Trump në SHBA mund të komplikojë panoramën europiane. Fokusi i bisedës do të jetë se çfarë kanë prodhuar zgjedhjet europiane për secilin vend. Kryetari i zgjedhur, por i pabetuar i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri është zgjedhur eurodeputet në Greqi për Nea Demokracinë.

Zgjedhjet europiane/ Eda Gemi: Fredi Beleri, kalorës i vetmuar. Partia e Mitsotakis, humbësja më e madhe

Fredi Beleri u zgjodh si një nga eurodeputetët e Greqisë në votimet për Parlamentin Europian. Ai u përfshi në listat e partisë “Demokracia e Re” të Kryeministrit Mitsotakis.

Por kjo parti, megjithëse doli e parë në Greqi për zgjedhjet europiane, në krahasim me vetëveten me zgjedhjet e kaluara, ka humbur një karrige eurodeputeti.

Pedagogia dhe njohësja e politikës greke, Eda Gemi, e ftuar në studion e emisionit Opinion, thotë se partia “Demokracia e Re” është humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

“Ka ca surpriza për Greqinë, që Demokracia e Re humbi 1 milion votues. Nga 8 ulëse që kishte në 2019, sot ka 7. Demokracia e Re quhet humbësja e më e madhe e këtyre zgjedhjeve në Greqi. Ajo që ka interes është fakti që kemi pak rritjen e PASOK-ut, nga 2 vende fiton 3 vende. Kemi rënie të SYRIZA, një rënie akoma më e madhe se zgjedhjet kombëtare vjet. Megjithëse u përdor Beleri si instrument viktimizimi, Zgjidhja Greke ka dalë shumë mirë, ka 2 vende, është një parti e djathtë në kufijtë e ekstremit të djathtë. Aktualisht Demokracia e Re nuk ka fituar pavarësisht Belerit”.

Fredi Belerin, Eda Gemi e konsideron si një “kalorës të vetmuar”.

“Mitsotakis donte ta absorbonte ai të djathtën ekstreme, por nuk e arriti dot. Beleri është kalorës o vetmuar, por interesante është fakti që është e pa precedent, një personazh si Beleri të zgjidhet eurodeputet ndërkohë që është në burg, nga ana tjetër rrugëtimi i Belerit është i pandalueshëm. Betimi formalisht bëhet në Korrik, nuk ka nevojë të jetë prezent Beleri, kështu që nuk ka asnjë lloj pengese. Rast interesant është Piro Dhima që doli i 9, e humbi garën”, u shpreh ajo.

“Berluskoni dhe nga bota tjetër mori vota?”, Gazetarja: Gjetja strategjike për zgjedhjet në Parlamentin Europian

Në Itali, e djathta nacionaliste e Giorgia Melonit gati ka 5-fishuar numrin e eurodeputetëve, dhe me zgjedhjet e fundit, do të ketë 24 të tillë në Parlamentin Europian.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Alba Kepi ka treguar më shumë detaje rreth këtyre zgjedhjeve, ku ka thënë se kryeministrja italiane Giorgia Meloni është europarlamentarja italiane më e votuar me 2 milionë vota.

Më tej, Kepi vuri theksin dhe tek një element sa i çuditshëm, aq edhe strategjik për votimet në Parlamentin Europian: Një mënyrë thirrje për të votuar kandidatët e “Forca Italia” me figurën e të ndjerit, Silvio Berluskoni.

Alba Kepi: Giorgia Meloni sot është europarlamentarja italiane më e votuar, ka marrë mbi 2 milionë vota. Meloni konfirmoi dhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Kujtojmë se në 2022-shin kur mori qeverisjen, ishte Berluskoni ende gjallë, ishte Salvini dhe kujtojmë atë konferencë shtypi kur Berluskoni e qaste Melonin si një person që ai po e ndihmonte të bëhej kryeministre.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, Meloni e ka rikonfirmuar veten krejtësisht tashmë?

Alba Kepi: Padyshim. Ajo jo vetëm konfirmon, por edhe rivlerëson veten. Kjo fushatë elektorale në Itali ishte më shumë një fushatë lidershipi sepse kryeministrja Meloni zgjodhi të ishte në krye të listës së kandidatëve europarlamentarë. Edhe në sloganin, ajo vuri emrin e saj “Voto Giorgian”. Të njëtën gjë bëri Antonio Tajani me partinë e tij “Forca Italia”, madje bëri një zgjedhje strategjike duke vënë emrin e Berluskonit, pra duke bërë një thirrje të fanatikëve të “Forca Italia” për të votuar.

Blendi Fevziu: Domethënë, Berluskoni dhe nga bota tjetër mori prapë vota?

Alba Kepi: Dukej e çuditshme. Ai e komentoi se ishte për t’i bërë nderim figurës së Berluskonit, por të gjithë e komentuan si një gjetje strategjike për të gjithë ata që janë nostalgjikët e Berluskonit. Pra, ishte një garë lidershipi.

/tvklan.al