Gati dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme, Vangjel Tavo është betuar këtë të hënë si kryetar i Bashkisë Himarë.

Në fjalën e tij të parë si kryebashkiak, ai tha se dyert e Bashkisë do të jenë të mbyllura për abuzimet, korrupsionin dhe paligjshmëritë dhe të hapura për bashkëpunimin me të gjitha palët.

“Kryetari i çdo bashkie njihet ndryshe si qytetari i parë, por në fakt unë do të njihem si shërbëtor i kësaj bashkie, sepse do të drejtoj duke shërbyer”.

Për ministrin e Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, betimi i Tavos shënon fundin e telenovelës me Bashkinë Himarë.

“Sot ka një kryetar bashkie i cili nga sot ka detyrë të fokusohet tek punët e bashkisë, te detyrat që bashkia ka, te shërbimi ndaj qytetarëve dhe te përmirësimi i shërbimeve të qytetit. Do të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë”.

Tavo u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 4 Gushtit ku fitoi me një rezultat të thellë përballë kandidatit të opozitës Petro Gjikuria.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i dha më 12 Shtator zyrtarisht Vangjel Tavos mandatin si kryebashkiak i Himarës, vendim i cili erdhi pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve në Himarë nga KAS dhe Kolegji Zgjedhor.

Tv Klan