Mbi 20 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës, janë mbledhur në qytetin e Vlorës për të realizuar konferencën ndërkombëtare, dedikuar tërisisht astrofizikës, më konkretisht tematikës së valëve të gravitetit.

Ky takim i ngushtë mes astrofizikantëve, nga Britania, Holanda, Brazili etj. vjen me sipërmarrjen e Ambasadores së vendit tonë në Vatikan, Majlinda Frangaj, e cila spunton e mori një vit më parë, në konferencën shkencore që organizoi në Selinë e Shenjtë në Vatikan me titull “Gruaja dhe Shkenca”.

Majlinda Frangaj, Ambasadore e Shqipërisë në Vatikan: Ideja e konferencës, e cila do mbahet sot deri me 4 Tetor mbi valët e gravitetit, ku kanë ardhur mbi 20 shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës. Është Britania e Madhe, Brazili, Holanda, Italia. Ideja lindi një vit më përpara kur ambasada e Shqipërisë, pranë Selisë së Shenjtë, organizoi në Akademinë Papnore të Shkencave në Vatikan konferencë me titull “Gruaja dhe Shkenca”. Duke dashur të organizoj këtë konferencë, unë kontaktova fillimisht Francesca Panessa, një nga shkencëtaret, me të cilat ishim në një konferencë të mbajtur në komunën e Romës disa vite më përpara dhe thashë pse jo të organizoj në Vatikan një konferencë me titull “Gruaja dhe Shkenca” pasi ishte 11 Shkurti, dita ndërkombëtare e Gruas në Shkencë. Një konferencë që pati shumë sukses, ishin tre shkencëtare të astrofizkës, dy prej të cilave janë këtu dhe thamë pse jo një konferencë edhe në Shqipëri, dhe arritëm në realizmin e kësaj konference që është shumë e rëndësishme edhe për të rinjtë që duan të marrin studimet nëpër universitete të ndryshme që të studiojnë edhe astrofizikën dhe sidomos vajzat.

Ndërsa vetë fizikantët hedhin më shumë dritë për rëndësinë e këtij takimi, jo vetëm në rrafshin shkencor, por dhe në atë të forcimit të bashkëpunimit me shkencëtarët që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Franceska Panessa, shkencëtare në Institutin Kombëtar të Astrofizikës, Itali: Jam një nga organizatoret e këtij worshopi që i kushtohet studimit të valëve gravitacionale. Të jesh këtu me këta shkencëtarë të njohur botërorë për këtë tematikë, është një mundësi shumë e madhe.

Silvia Piranomonte, shkencëtare në Institutin Kombëtar të Astrofizikës, Itali: Jam një nga organizatoret e konferencës, ku bashkojmë shkencëtarë të ndryshëm nga e gjithë bota për ta pasur ide të reja dhe të astrofizikës në përgjithësi.

Ik Siong Heng, Profesor i Fizikës dhe Astronomisë, Glasgow: Workshopi foksuohet të valët e gravitetit duke e kombinuar me astronominë. Valët e Gravitetit mund t’i vëzhgojmë me metoda të ndryshme astronomike që të mësojmë më shumë për Universin.

Clecio Bom, Profesor në Qendrën Kërkuese të Fizikës, Brazil: Jam këtu në Shqipëri bashkë me shkencëtarë të tjerë të rëndësishëm në Europë për të diskutuar mbi ide të reja dhe projekte të reja duke ndërtuar një bashkëpunim të fortë.

Aktiviteti dedikuar shkencës së astrofizikës vjen i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Institutit Kombëtar të Astrofizikës në Itali, e do të vazhdojë të mbahet deri më 4 Tetor, në Vlorë.

Tv Klan