Evakuimi i palestinezëve me urdhër të Izraelit vazhdon ende. Ditën e sotme Izraeli ka urdhëruar disa banorë të tjerë të cilët jetojnë në pjesën tjetër të qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës, drejt zonave të zgjeruara humanitare të Al-Mawasi.

Evakuimi i palestinezëve është një dëshmi se ushtria izraelite nuk tërhiqet nga plani i saj për të sulmuar dhe për të pushtuar plotësisht Rafahun.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u bëri thirrje banorëve të cilët aktualisht janë të zhvendosur në zonën Xhabalia dhe në 11 lagje të tjera të enklavës që të zhvendosen menjëherë drejt Gazës perëndimore për t’u strehuar.

Banorët në Rafah u shprehën për “Reuters” se urdhrat e rinj për evakuim nga ushtria izraelite vlejnë për zonat më në qendër të qytetit.

“Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, Izraeli kërkon me çdo kushte që të kryejë ofensivën e planifikuar dhe të pushtojë qytetin tonë, të shkatërrojë shtëpitë tona dhe të na dëbojë ne te gjithëve,” ka thënë për “Reuters” një qytetar.

“Gjendja është shumë e rëndë, njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre të trembur dhe të panikosur,” ka thënë një tjetër banor, i cili është urdhëruar të largohet.

Sipas informacioneve të bëra zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza ditën e sotme kanë humbur jetën të paktën 37 palestinezë, 24 prej të cilëve ishin nga zona qendrore. Ndërkaq ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë goditën dhjetëra objektiva nëpër Rripin e Gazës.

Pavarësisht trysnisë së madhe nga SHBA dhe aleatët të tjerë të cilët kërkojnë armëpushim dhe të ndalohen sulmet në Rripin e Gazës e veçanërisht në Rafah, përsëri Izraeli është i vendosur dhe ka thënë se ka për ta pushtuar Rafahun me çdo kusht. Izraeli thotë se nuk janë përmbushur objektivat e saj të luftës dhe se nuk mund të fitojë luftën pa çrrënjosur Hamasin, i cili është shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian si një grup terrorist.

Deri më tani janë zhvendosur rreth 300 mijë palestinezë në qytezës e Al-Mawasi, që ndodhet në bregdetin lindor të enklavës.

/tvklan.al