Bashkimi Evropian ka thënë se dëshiron të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve. Por, njohësit e procesit të dialogut shprehen kundër trajtimit të kësaj çështjeje, pasi për të veçse ka marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se i ka plotësuar kërkesat e ndërkombëtarëve sa i përket hapjes së urës, por ka shtuar se po i vazhdon konsultimet dhe koordinimin me ta.

Njohësit e procesit të dialogut thonë se nuk ka shumë kuptim që Bashkimi Evropian tani dëshiron të rikthejë në proces çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve, për të cilën Kosova e Serbia kanë arritur marrëveshje disa vjet më parë.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, nga Mitrovica e Veriut, me shumicë serbe.

Që nga arritja e marrëveshjes më 2014, BE-ja vazhdimisht kishte kërkuar që ura të hapej pa vonesa dhe pa pengesa të tjera.

Vetëm në raportin e vitit 2023 të Komisionit Evropian për Kosovën, për çështjen e urës ishte shtuar fjalia se “për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, shprehet kundër trajtimit të kësaj çështjeje në dialogun e Brukselit.

“Nuk besoj që një çështje që veçse është diskutuar, të hapet edhe njëherë. Prandaj, mendoj që çështja e urës duhet të mbetet jashtë dialogut”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, gazetari që raporton nga Brukseli, Augustin Palokaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e BE-së në këtë moment nuk duket të ketë shumë kuptim, pasi nuk dihet nëse dhe kur do të ketë takim të radhës të dialogut, teksa në Bruksel janë në pritje që detyrën ta marrin strukturat e reja të bllokut dhe të shihet se si të veprohet me dialogun.

Ai konsideron se Mirosllav Lajçak, duke qenë se është në muajt e fundit të mandatit, “nuk pritet të ketë ndonjë rol të rëndësishëm apo edhe ndonjë fuqi për t’i bindur palët që të pajtohen për një çështje të tillë”.

Zyrtarët evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, në njërin prej rundeve të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel. Në këtë nivel dialogu, Kosova përfaqësohet prej kryeministrit, Albin Kurtit, ndërsa Serbia prej presidentit, Aleksandar Vuçiqit. (Foto: BE)

Ndërkaq, Morina thotë se kërkesa e BE-së, që për urën të diskutohet në Bruksel, mund të jetë ndikuar nga disa faktorë, përfshirë shqetësimet për sigurinë, por shton se kjo mund të jetë edhe rezultat i “pakënaqësisë së serbëve në Kosovë dhe presionit që e marrin nga Beogradi që secila çështje duhet të marrë dritën e gjelbër prej Beogradit”, duke shtuar se blloku ka presion edhe nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.

Por, Palokaj mendon se BE-ja, po ashtu, është e interesuar të ruhet status quo-ja, “që do të vazhdonte nëse ura nuk do të hapej”.

“Prapa interesimit të BE-së që të ketë diskutime në kuadër të dialogut, qëndron vetëm qëllimi që të ruhet qetësia në veri dhe të parandalohen tensionet e reja”, thekson ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 14 gusht se hapja e urës mbi Ibër nuk është çështje e pazgjidhur e dialogut, por është “kërkesa kryesore e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Sipas tij, emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i ka thënë në qershor se nëse Kosova nuk dëshiron që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, duhet të bëjë diskutime të brendshme me serbët lokalë për të adresuar implikimet për sigurinë, ndërkaq QUINT-i ka kërkuar inspektime teknike.

Bislimi tha se Kosova i ka ndjekur këto rekomandime.

Lajçak i cilësoi si “mashtruese” deklaratat se blloku është kundër hapjes së urës. Ai tha se “marrja e një vendimi kundër vullnetit të njerëzve të prekur, nuk kontribuon në normalizim marrëdhëniesh”, duke përsëritur se në takimin e radhës do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për urën. Por, ai nuk përmendi ndonjë datë për një takim të tillë.

Shqetësimet për sigurinë

Synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës ka hasur në kundërshti nga serbët lokalë, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare.

Serbët lokalë kanë shprehur frikë për sigurinë e tyre, por në debatin e organizuar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria e Kosovës, institucionet kanë garantuar siguri në rast të hapjes së urës.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i tha REL-it më 13 gusht se hapja e urës në këtë kohë, paraqet rrezik të vërtetë, që mund të ndikojë edhe në sigurinë e ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të enjten se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.

Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe se Kosova duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara sa i përket hapjes së urës.

Për Engjëllushe Morinën, hapja e urës nuk është asgjë e keqe “nëse nuk e rrezikon sigurinë e askujt”.

“Nuk e shoh tani që hapja e urës mund të shkaktojë një incident të llojit të Banjskës apo të majit. Nuk i dihet, por nuk e shoh që situata e sigurisë do të zhvillohet në këtë drejtim”, thotë ajo.

KFOR-i, që ka prani mbi urën e Ibrit, ka kërkuar që për çështjen e hapjes së saj të diskutohet në dialog.

Ky mision, po ashtu, ka thënë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ndonëse karabinierët italianë kanë prezencë të përhershme mbi urë, kohën e fundit aty janë parë edhe ushtarë amerikanë të KFOR-it. (Foto: Radio Evropa e Lirë)

Ky qëndrim i KFOR-it është mirëpritur nga kryeministri serb, Millosh Vuçeviq. Por, ai ka shtuar se beson që Qeveria e Kosovës po planifikon “ta hapë me forcë” urën.

Si Morina, ashtu edhe Palokaj, thonë se nëse Kosova e hap urën pa pëlqimin e ndërkombëtarëve, do t’i acaronte raportet me ta. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 14 gusht se po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për hapjen e urës më 2014. Pakti parashikoi “rivitalizimin e urës” apo heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë më 2011, të cilat më 2014 u zëvendësuan me mure prej betoni.

Ato u larguan më 2016, kur mendohej që ura të hapej për qarkullim.

Po atë vit, u arrit pajtimi për planin e zbatimit të marrëveshjes, që parashihte hapjen e urës në janar të vitit 2017./REL