Vazhdon që të mbetet mister shkaku i humbjes së jetës së 4 turistëve rusë në një hotel luksoz në Qerret të Kavajës. Prokuroria e Kavajës ka kërkuar ndihmë për kryerjen e analizave të ujit dhe nivelit të klorit të hedhur në pishinë, një kompanie të huaj. Kjo kërkesë vjen pas përplasës që pati organi i akuzës me Institutin e Shëndetit Publik.

 Ky institucion e ka cilësuar problematike dhe të gabuar marrjen e mostrave, për të kryer analizat. ISHP  pretendoi se të dhënat nuk ishin marrë në mënyrën e duhur dhe kërkoi nga organi i akuzës që të bëhej ripërsëritja e marrjes së provave.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 15 Tetorit ku në mënyrë të mistershme humbën jetën 4 antarët e një familjeje Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe. Prokuroria ka dyshime se ata kanë gjetur vdekjen për shkak të klorit të përdorur për të pastruar pishinën. Ekspertiza paraprake e Institutit të Mjekësisë Ligjore ka përcaktuar si shkak i vdekjes dyshohet që të jetë asfiksia. Ndërkohë që rezultatet përfundimtare për të përcaktuar shkakun e vdekjes nuk kanë dalë akoma.

Trupat e pajetë i janë dorëzuar familjarëve dhe u nisën nga ambasada ruse përmes një fluturimi të rregullt. Selia diplomatike ruse në Tiranë njoftoi zyrtarisht se në bazë të ligjeve të tyre trupat e pajetë mund t’i nënshtrohen një autopsie të dytë. Po ashtu nga ana tjetër ambasada la të kuptohet se edhe nga autoritetet ruse do të kryhej një tjetër hetim paralel. Prokuroria e Kavajës e ka regjistruar dosjen si vrasje në rrethana të tjera cilësuese. 

Klan News