Rehabilitohet blloku i banimit që kufizohet me disa nga rrugët kryesore të Njësisë 11 në kryeqytet. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj teksa inspektoi punimet theksoi se Bashkia do të vijojë, edhe gjatë verës punën për të transformuar lagjet e kryeqytetit.

“Premtimi që kemi bërë është se pavarësisht nëse jemi në ish Bllok apo në periferi, do të punojmë me të njëjtin standard. E gjithë zona këtu, zona e Treshit, e Kodër- Kamzës, kanë qenë zona që janë zhvilluar ndër vite, sidomos në vitet ’90, kryesisht me ato mjetet rrethanore, sakrificat e familjeve që kanë kursyer gjithë lekët e emigracionit për t’u transferuar në Tiranë. Këtu do të shtohet vlera e pronës. Një pronë me gropa septike, pa ndriçim, pa kanalizim e pa hyrje për zjarrfikës apo ambulancë është një pronë pa vlerë. Por, një pronë që i ka të gjitha këto, është një pronë që i shumëfishohet vlera.”

Veliaj shtoi se me investimet që po bëhen në çdo cep të Tiranës, të gjithë qytetarët kanë shërbime me standarde.

Për sa kohë ishte me gropa septike, ujë me bote, me ndriçim elektrik, kjo s’mund të quhej Tiranë. Më në fund, po themi që edhe copa e fundit e pazëllit, pra edhe copa e fundit e qytetit, po trajtohet si në kryeqytet. Më vjen mirë që në këtë lagje po bëjmë të gjitha sistemimet e kanalizimet, pra jo më gropa septike dhe jo më derdhje direkt në lum, por nëpërmjet rrjetit të kanalizimeve të qytetit. Çështja e ndriçimit mund të duket si një detaj i vogël urban, por 165 ndriçues janë 165 mundësi për një grua që kthehet vonë natën, për dikë që punon turni i tretë, për një fëmijë që vjen nga shkolla.”

Kryebashkiaku i Tiranës falenderoi banorët e kryeqytetit për bashkëpunimin dhe durimin gjatë kësaj periudhe që ka kantiere punimesh në shumë zona.

Klan News