“Reforma administrative, sukses në rritjen e cilësisë së shërbimeve”

Përgjatë vitit 2023 do të hapet Tregu i madh Bujqësor i Tiranës mes Lundrës dhe Farkës së Madhe. E pikërisht tek zhvillimi rural u ndal në videomesazhin e përjavshëm Kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Një ndërhyrje proaktive e Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar fermerët dhe tregtarët që jo vetëm që të rrisin prodhimin, por edhe t’i mbështesim të aksesojnë tregun vendor në një treg publik, pa taksat që vë private.”

Sipas Veliajt, reforma territoriale që i hapi rrugë zhvillimit të vrullshëm të ish-komunave që rrethojnë Tiranën.

“Para Reformës Administrative, fshatrat e Tiranës ishin si çdo gjë tjetër: të harruar, të shpërfillur. Sot, reforma administrative ka rezultuar një sukses në infrastrukturë, në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe prodhimit. Ne i rikthyem dinjitetin rrethinave të Tiranës me investime në infrastrukturë dhe në shërbime”.

Veliaj thotë se investimet për rritjen e cilësisë së shërbimeve do të vijojnë në 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Sa i përket investimeve në infrastrukturë, kemi planifikuar 150 ndërhyrje të reja infrastrukturore shërbimesh në zonat rurale, investime të reja në ujësjellësat e fshatrave, si dhe 150,000 m2  rrugë të asfaltuara çdo vit, në të gjithë zonat rurale të Tiranës”.

Gjatë ditës Veliaj pati edhe një takim me shoqatat e çiklistëve, ku tha se numri i përdoruesve të biçikletave është trefishuar. Të tjera korsi të dedikuara pritet t’i shtohen kryeqytetit.

Tv Klan