Duke nisur nga Shtatori i vitit që vjen, Bashkia e Tiranës synon të integrojë paketën e ushqimit falas në 100% të shkollave të kryeqytetit, për t’u siguruar fëmijëve të njëjtin fillim në rrugëtimin e tyre drejt dijes. Lajmin e bëri me dije kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak.

“Ashtu siç tek transporti kemi planifikuar, që për personat në pension dhe ata me aftësi të kufizuara, nga 1 Janari të bëjnë udhëtimin falas me autobus, ne duam që të planifikojmë që në Shtatorin që vjen, pra jo këtë Shtator, të përgatitemi një vit, ne të kemi ushqimin në të gjithë shkollat e Tiranës, sidomos për t’u dhënë fëmijëve të njëjtin start.

Ca familje janë më të pasura, ca nuk i kanë mundësitë, por kur vjen puna tek kaloritë, vitaminat, çdo fëmijë duhet të ketë startin e barabartë në qytetin tonë. Sot jemi në kushtet ku Bashkia mund ta bëjë këtë investim, ndërkohë që kur ishim në ditë më të vobekta nuk e kishim këtë mundësi. Shkolla-qendër komunitare do të transformohet në një plan për 100% të shkollave tona, për t’u siguruar që fusim ushqimin e fëmijëve në shkolla”, theksoi kreu i Bashkisë.

/tvklan.al