Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, njoftoi ndryshimet e pagës për të gjithë nëpunësit civil, duke i unifikuar me pagat e administratës qendrore. Në këtë mënyrë, specialistët e Bashkisë do të trajtohen njësoj si kolegët e tyre në ministri, ndërsa shefat e sektorëve do të kenë të njëjtin trajtim financiar si në administratën qendrore.

 Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Ndryshon paga e specialistëve të Bashkisë dhe merr një rritje prej 100 mijë lekësh të vjetra të pagës për pozicion, duke unifikuar gjithashtu me specialistët e të njëjtës kategori në administratën qendrore. Kjo barazohet sot me këtë vendim të këshillit bashkiak. Gjithashtu policëve bashkiak dhe punonjësve mbështetës u jepet një shtesë për kushte pune mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse në masën 40 mijë lek të vjetra në muaj.

Veliaj tha se rritje page do të përfitojnë edhe punonjësit e 27 njësive administrative si dhe punonjësit mbështetës të bashkisë , siç janë pastruesit, hidraulikët dhe elektricistët, që do përfitojnë një shtesë mujore prej 4,000 lekësh të rinj, dhe në total janë rreth 5 mijë punonjës. ndërkohë që rritje page ka dhe për edukatorët e kopshteve dhe të çerdheve.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Rroga bazë e edukatores propozohet të rritet nga 55,000 lekë të rinj aktualisht në 58,000 lekë të rinj, duke reflektuar një përmirësim të rëndësishëm për këta profesionistë të rëndësishëm të qytetit.

Nga ana tjetër Veliaj foli dhe për vlerësimin e Agjencisë Europiane të Mjedisit, e cila e renditi Tiranën mes 10 kryeqyteteve Evropiane me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë Tiranë: Ndihem i vlerësuar nga nota që na dha Agjencia Europiane e Mjedisit këtë të dielë. Mund të kemi bindje të ndryshme, por pemët u bëjnë hije njësoj të gjithë. Fakti që sot jemi kryeqyteti në 10-shen e parë për mbulesën urbane me pemë, me gjelbërim dhe me hije, thjesht na shton motivimin për më shumë. Momenti më i mirë për të mbjellë pemë ishte dje, momenti i dytë më i mirë është sot dhe i treti më i mirë është nesër. Me këtë vlerësim kemi lënë pas Beogradin e Athinën.

Pjesë e vendimeve të këshillit bashkiak është edhe transformimi i dy hapësirave sportive në kryeqytet, stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

Klan News