Në selinë e PS-së u mbajt pasditen e sotme aktiviteti në lidhje me platformën “Deputeti që duam”. I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili përveç se theksoi rëndësinë e kësaj platforme, solli vëmendjen dhe tek pensionet. Rama tha se do të bëjnë çmos për të rritur pensionet teksa shtoi se do të bëjnë gjithçka që bonusi i fundvitit të jetë më i lartë se tradicionali.

Edi Rama: Beteja e pranverës së ardhshme dhe përpjekja për t’u ngritur drejt majës 2030 ka më tepër nevojë për më shumë njerëz. Sot ne kemi disa që janë në vijën e parë apo në vijën e dytë dhe që vijnë nga praktika shumë më e shkurtër në kohë e “Deputeti që duam” e vitit 2021. Ne t’i japim politikës mundësinë që të përdoret në sa më shumë duar të mira. Sa më shumë duar të afta dhe duar të pastra të marrin në dorë vendimmarrjen, aq më gjëra të mira mund të bëjë politika.

Duke ikur dhe duke i kthyer kurrizin nuk i shpëton, por duke ndarë me të tjerë qëllime dhe ide të përbashkëta, padiskutim që sjell ndryshimin për të mirën e të gjithëve. Alternativa e qeverisjes së PS apo alternativat ushqehen nga urrejtja ndaj nesh, nga mllefi apo nga të dyja këto bashkë që degëzohen ose në qasje dhe veprime destruktive apo në disa degëzime ku njerëz që i thonë vetes të rinj, që përveç moshës nuk kanë asgjë të re, përpiqen që të mbingopin të tjerët me iluzione.

Pensionet janë faktikisht ajo që shteti, shoqëria, arrin të rishpërndajë në funksion të kontributeve që mbledh. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që misioni ynë është i përmbushur kur ne i kemi dhënë rritjes ekonomike, dimensionin e saj gjithëpërfshirës. Nga një rritje ekonomike që shihet qartësisht në shifra dhe fakte, tek një rritje që ndihet në arkën e të gjitha kategorive, ka një distancë për të përshkruar në mënyrë që të gjithë të marrin pjesën e tyre nga ekonomia gjithpërfshirëse, por në të njëjtën kohë, shteti të qëndrojë në nivele të forta.

Ne të bëjmë çmos për t’i rritur pensionet por të mos biem në kurthin e iluzioneve sepse ne nuk mund t’i gënjejmë gjyshërit dhe gjyshet. Të bëjmë gjithçka që bonusi i fundvitit të jetë më i lartë nga ai që është tradicionali. Në këtë moment ne kemi një ekonomi, e cila mund të na japë atë që mund të marrim prej sa për të ia kaluar pensionistëve dhe këtu është dallimi i madh mes nesh dhe të gjithë atyre që vijnë vërdallë. Ata duan të largojnë PS-në, por se çfarë bëjnë me pushtetin nuk është vështirë ta parashikosh kur e shikon se çfarë bëjnë me veprimet e tyre.

/tvklan.al