“Një pjesë e shtëpive përfundojnë për festat e Nëntorit”

Sefer Poçi dhe familja e tij nga Farka do të hyjnë në shtëpinë e re shumë shpejt. Tërmeti i 21 Shtatorit i la ata jashtë dhe në rrënojat e banesës së vjetër Bashkia po i ndërton një të re.

“Herën e parë u takuam për hall, herën e dytë për punë, herën e tretë do takohemi për qejf se do hyjmë në shtëpinë e re, jo vetëm këtu, por në mbi 40 shtëpi të tjera në gjithë Tiranën. Është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh sesi në vetëm pak javë nga tërmeti kemi nisur nga puna për rindërtimin e shtëpive”, tha Kryebashkiaku Erion Veliaj.

Kompanitë e ndërtimit po vijojnë punën për t’u siguruar që të gjitha shtëpitë e rrënuara të jenë gati për festat e fundvitit.

“Do të ecim shpejt me punimet dhe brenda festave të Çlirimit të fusim një pjesë të familjeve dhe brenda Vitit të Ri pjesën tjetër, për të dalë faqebardhë dhe treguar se qytetet nuk duken kur u ndodh vakia dhe fatkeqësia, por duken sesi ngrihen dhe si reagojnë pas këtyre fatkeqësive. Tirana ia doli, nuk u panikos ditët e tërmetit dhe arriti që të ringrihet në këmbë në kohë rekord. Kjo na bën krenarë, por më e mira është përpara”, shtoi Veliaj.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës po vijon me procesin e vlerësimit të dëmit dhe dëmshpërblimit të banesave apo godinave të tjera që u prekën më lehtë nga tërmeti.

Tv Klan