Studiuesit po gërmojnë prej dy vitesh, për të zbuluar gjurmë të vendbanimit “palafit” në Lin

Në Buqezë, pranë bregut të liqenit të Ohrit, studiuesit po punojnë për zbulimin e vendbanimit “palafit”, i cili ka ekzistuar 7500 vjet më parë.

Projekti që mban emrin “Lin 3” tashmë ka hyrë në fazën e dytë dhe po zbatohet nga Instituti i Arkeologjisë Shqiptare në bashkëpunim me Universitetin e Bernës në Zvicër.

Sipas Ardian Anastasit drejtuesi shkencor i punimeve, pas fazës së parë të zbulimit të vendbanimit në ujë, ka të dhëna të forta se ai shtrihej edhe bregun e liqenit.

Zbulimet e fundit kanë kënaqur edhe palën zvicerane.

“Kemi një situatë shumë premtuese, mendoj se mund të krahasojmë e të zgjerojmë rezultatet që kemi arritur më parë në pjesën maqedonase. Ne aktualisht në këtë projekt po gërmojmë nën ujë, që prej 2 vitesh, dhe tani po përpiqemi të zbulojmë se si kjo që kemi në këtë zonë, ka vijuar të shtrihet drejt bregut të liqenit. Dhe gjithashtu kërkojmë të gjejmë lloje të ndryshme të materialeve që s’mund ti gjesh nën ujë. Pritshmëritë tona janë që këtu të gjejmë pjesë nga banesat pilotëve, si edhe qeramikën që është përdorur prej tyre. Shpresojmë që në zonën që aktualisht po gërmojmë në nivelin aktual të liqenit të gjejmë objekte të vyera të cilat më pas mund të çohen në ekzaminime me të sakta”.

Drejtuesi shqiptar i punimeve thotë se do shkohet drejt një rindërtimi të palafitit në një rreze prej 30 km. Vendbanimi Palafit i Linit rezulton më i madhi në Ballkan dhe ndoshta edhe në Europë. Ekziston edhe një palafit tjetër në palën maqedonase, por shumë herë më i vogël në sipërfaqe sesa ky i Linit.

Klan News