30% konsumatorë familjare, nga 1 Maji nis matja vjetore

Rritet numri i abonentëve që vetëprodhojnë energji në Shqipëri. Të dhënat nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës tregojnë se deri tani numri i subjekteve që vetëprodhojnë energji nga panelet fotovoltaikë ka arritur në 1 mijë.

Enea Karakaçi, drejtoria e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë: Që nga viti 2019 kur ne kemi filluar t’i mbështesim dhe të bëjmë politika për vetëkonsumin, ka patur një numër në rritje shumë të madh. Kapaciteti i instaluar deri sot që flasim është rreth 103 mega. Ndërkohë numri i abonentëve është rreth 1 mijë abonentë.

Shumica e tyre janë biznese dhe vetëm 30 % janë konsumatorë familjarë. Për të rritur fuqinë instaluese edhe tek familjarët, po përgatitet një ndihmë financiare siç u procedua me panelet diellore për ngrohjen e ujit.

“Ka çuar në uljen e konsumit në përgjithësi. Ne jemi duke bërë tentativa që me anë të donatorëve të ndryshëm të akomdojnë kërkesa për pajisje të eficencës, në mënyrë që ti financojmë njëlloj për panelet diellore sipër ujin e ngrohtë”.

Tashmë prej 1 majit për bizneset që vetëprodhojnë energji do të aplikohet matje vjetore.

“Bizneset kërkuan që kompensimi i energjisë të mos ishte mujor, por vjetor. Në mënyrë që të përfitonin nga energjia e verës që ka shumë prodhim dhe të mos humbisnin në rrjet. Tashmë kjo ka hyrë në fuqi”.

Prej 4 vitesh politikat qeveritare janë të fokusuara në këtë fushë si një mënyrë për të kursyer energji elektrike, në një kohë kur shume vende u përballën me krizë të saj.

Tv Klan