Një incident ka ndodhur në ndeshjen e futbollit mes Arabisë Saudite dhe Australisë për kualifikueset e Kupës së Botës. Skuadra saudite refuzoi që të reshtohej për të mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të viktimave nga sulmi terrorist në Londër.

Federata e Arabisë Saudite të Futbollit ka kërkuar falje publikisht për këtë veprim të përfaqësues së futbollit, që nuk respektuan nderimin për viktimat e sulmit në Londër, mes të cilëve ishin edhe dy australianë.

Përmes një njoftimi, Federata e Arabisë Saudite u shpreh:

“Me keqardhje të thellë kërkojmë ndjesë për çdo shkelje nga futbollistët e ekipit përfaqësues të Mbretërisë së Arabisë Saudite, për të respektuar nderimin për viktimat e sulmit terrorist në Londër më 3 qershor. Nuk ishte qëllim i futbollistëve mosrespektimi i kujtimit të viktimave, miqve apo çdo individi të prekur nga mizoria. Federata e Arabisë Saudite të Futbollit dënon të gjitha aktet e terrorizmit dhe ekstremizmit dhe i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të gjitha viktimave”.

Ana ana tjetër, Federata Australiane e Futbollit deklaroi se kishte kërkuar nga Konfederata Aziatike e Futbollit që ekipi kombëtar saudit të mbante një minutë heshtje në kujtesë të viktimave. Federata Australiane thotë se u ra dakord që të mbahet 1 minutë heshtje, por më vonë u informuan nga zyrtarët e ekipit saudit se kjo traditë nuk përputhet me kulturën e tyre. Megjithatë, përfaqësuesja e Arabisë Saudite sqaroi se do të respektonte kërkesën e ekipit australian, ndërsa lojtarët sauditë do të zhvendoseshin në anën e tyre të fushës duke qëndruar në pozicionet përkatëse.

/tvklan.al