Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cloned key”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i qytetarëve:

  • E. P., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim;
  • E. S., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
  • L. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit Y. K., 54 vjeç dhe K. S., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur automjete, në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat i kanë shitur më pas në zonën e Fushë-Krujës dhe Mamurrasit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt në pronësi të 30-vjeçarit me iniciale t L. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur targa të dyshuara të vjedhura, një shkop gome, një radio policie dhe çelësa makinash. Gjithashtu, gjatë kontrollit në një automjet të parkuar në këtë subjekt, u gjetën një armë zjarri kallashnikov, krehër dhe municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 39-vjeçari me iniciale E. S. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi, duke dalë jashtë banesës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet i vjedhur, targa të vjedhura, një armë zjarri kallashnikov, shkop gome, radio policie, një aparat celular dhe një automjet që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al