Rëndohet situata në Greqi në ditën e 11-të të protestave kundër vrasjes së Aleksi Gregoropulos nga policia.

Qyteti i Selanikut është tronditur nga disa shpërthime të fuqishme në disa lagje. Filiali grek i Eurobankës ishte në shënjestrën e disa bombave artizanale, ku u regjistruan edhe dëme materiale të shumta.

Një bombë tjetër u hodh më herët në qendrën për shërbime të qytetarëve. Në kryeqytet protestues të shumtë hynë në kullën e lashtë të Akropolisit, godina simbol e demokracisë greke, duke vënë parulla për rezistencë që bënin thirrje për protesta masive.

Mediat greke e krahasuan veprimin me uljen e flamurit nazist në Luftën e Dytë Botërore. Situata mbetet e tensionuar edhe në Janinë ku 50 të rinj pushtuan bashkinë.

Shkollat dhe universitetet në mbarë vendin vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe gjenden të rrethuara nga studentët.

Në vazhdën e javës së dytë të kaosit kryeministri Kostas Karamanlis ka marrë vendimin përfundimtar për të filluar konsultime me përfaqësuesit e lartë zyrtarë të kabinetit të tij që kanë si qëllim rikonstruktimin e qeverisë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle