Në shkollat publike të vendit ka nisur shpërndarja e librave falas në përdorim për të gjithë nxënësit e sistemit arsimor 9-vjeçarë.

Edhe në shkollën “Jeronim De Rada” në Tiranë, prej disa ditësh nxënësit po pajisen me librat shkollor. Por më të emocionuarit janë vogëlushët e klasave të para.

Për ta, mësueset organizojnë një pritje më e veçantë, pasi do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Një pjesë e nxënësve njihen me njëri-tjetrin pasi kanë zhvilluar edhe parashkollorin së bashku, ku kanë marrë edhe shumë njohuri për shkronjat dhe numrat.

Emocionet e vogëlushëve 6-vjeçarë janë ndërthurur edhe pak me frikën e detyrave. Veç Abetares që e kanë librin e tyre më të dashur, shumë janë të gëzuar edhe për mësimin e Anglishtes, pasi thonë se kanë njohuri të kësaj gjuhë të huaj nga internet.

Ndërkohë që për prindërit marrja e librave falas është një ndihmë për të ulur kostot e nisjes së vitit të ri shkollor. Në gjithë Shqipërinë janë rreth 238 mijë nxënës që përfitojnë librat falas në përdorim, por për klasat e parë deri në të tretën, librat jepen çdo vit të rinj, ndërsa për klasat më të larta ato janë të ripërdorura nga nxënësit e viteve të mëparshme.

Klan News