Godinat e reja në zonën e “5 Majit”, e cila u prek nga tërmeti i 2019tës janë drejt përfundimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet dhe vlerësoi standardin e ndërtimit si më të mirat, njoftoi edhe procesin e hedhjes se shortit për banorët që do të përfitojnë shtëpitë e reja.
“Unë nuk besoj se ka një kantier të privatit që të jetë punuar me cilësi, siç është punuar në kantierin publik të 5 Majit. Mbarimi i dy godinave të tjera, 27-28, na çon me një buqetë për të siguruar vendimin e Këshillit të Ministrave, që pastaj na autorizon që të bëjmë shpërndarjen. Ne do kemi një proces të hedhjes së shortit ku do marrin shtëpi qytetarët që janë prekur nga tërmeti dhe katet e para, le të themi pjesët tregtare e komerciale, do jenë për ata që kanë qenë të investuar këtu prej vitesh, tek Bregu i Lumit, me prona dhe me investimet e tyre të biznesit, për t’ua kthyer prapë atë hapësirë në metra katrorë, prapë për efekt të biznesit”, tha Veliaj.
Veliaj tha se është punuar me ritme më të shpejta se vendet e BE-së, që janë prekur nga tërmeti, edhe pse nuk është mirënjohës ndaj asaj pjese të politikës që ka nxjerrë pengesa për këtë proces.
“Nuk jam edhe aq mirënjohës për atë pjesë të politikës që edhe në këtë proces ka bërë vetëm pengesa. Shpresoj shumë që marrim një leksion të madh dhe dënojmë dhe ndëshkojmë ata që na pengojnë të punojmë dhe atyre që punojnë t’i japim gjithë fuqinë dhe gjithë energjinë e nevojshme për të shkuar sa më përpara. Megjithatë, kur mendoj që në vendet tjera të BE, apo në vende të tjera edhe më të pasura se ne, kanë arritur të bëjnë vetëm një fraksion të vogël të rindërtimit pas tërmetit. Mund të kishim pasur një rekord edhe më të mirë nëse politika nuk do futej në këtë histori”.
Sipas kryebashkiakut këto shtëpi të reja që do t’i jepen qytetarëve janë ndërtuar me standarde shumë herë më të mira se ato që prishi tërmeti.
Tv Klan