Një plan për një armëpushim të shpejtë. Këtë propozim kryeminsitri hungarez Viktor Orban e bëri të ditur teksa ndodhet në një vizitë në Kiev, e para që nga nisja e agresionit dy vjet më parë.

Orban u prit nga presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ku të dy liderët mbajtën bisedime rreth një plani paqeje për t’i dhënë fund agresionit.

“Çështja e paqes nuk është vetëm e rëndësishme për Ukrainën, por edhe për Evropën. Kjo luftë nga e cila po vuani po ndikon thellë në sigurinë evropiane. I kërkova Presidentit Volodymyr Zelenskiy të mendonte nëse ne mund të ndryshonim rendin dhe të përshpejtonim bisedimet e paqes duke bërë fillimisht një armëpushim. Një armëpushim i lidhur me një afat do të jepte një shans për të përshpejtuar bisedimet e paqes.”

Mes të tjerash Orban u shpreh se Hungaria do të përmirësojë marrëdhëniet midis dy vendeve duke bërë një marrëveshje të gjerë dypalëshe me Ukrainën, të ngjashme me ato që Hungaria ka bërë tashmë me fqinjët.

“Në përgjithësi, përmbajtja e dialogut tonë për të gjitha çështjet që diskutuam mund, mund të shërbejë si bazë për një dokument të ardhshëm dypalësh midis vendeve tona. Një dokument që do të rregullojë marrëdhëniet tona.”

Kjo vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të rradhës të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët hungarezë kanë treguar se ata do të veprojnë si ndërmjetës, pavarësisht shqetësimeve nga disa ligjvënës të BE-së se demokracia në Hungari po cënohet. Orban gjithashtu ka bllokuar përpjekjet e BE-së për të zgjeruar ndihmën ndaj Kievit dhe për të sanksionuar Moskën për luftën e saj, duke i zhgënjyer udhëheqësit e tjerë të BE-së dhe Zelensky-n.

Klan News