Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme ku do të takohet me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden.

Zelenskyy ka deklaruar se ai ka një plan për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe synon që t’ia prezantojë Presidentit Biden.

Përveç Bidenit, Zelenskyy planifikon të takohet me zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris, përfaqësuesit e Kongresit nga të dyja partitë dhe kandidatin republikan për president Donald Trump. Pritet gjithashtu që ai t’ja prezantojë planin e tij për të fituar luftën edhe dy kandidatëve për president.

Zelenskyy thotë se lufta mund të fitohet qoftë duke zmbrapsur ushtrinë ruse në fushën e betejës, ose përmes diplomacisë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi liderin ukrainas se po e tërheq Perëndimin në një luftë me Rusinë dhe se nuk po kërkon një zgjidhje diplomatike për konfliktin. Ajo përsëriti qëndrimin e Moskës se Perëndimi duhet të ndalojë financimin dhe furnizimin me armë për Kievin.

Në javët e fundit, lideri ukrainas ka shprehur zhgënjimin e tij që nuk ka marrë ende leje nga aleatët  veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për të përdorur armët e tyre me rreze të gjatë kundër objektivave brenda Rusisë.

Këto zhvillime vijnë teksa Kremlini ka bërë të ditur se forcat ruse do të rimarrin kontrollin në rajonin e Kurskut. Të enjten, një komandant i lartë rus tha se trupat ruse kishin rimarrë dy fshatra në rajonin e Kurskut ndërsa po punon për dëbimin e trupave ukrainase.

Klan News